Jeta ka “ngritjet dhe uljet” e saj, gëzimet dhe hidhërimet, zinë dhe festën. Por çfarë ndodh kur njeriu nuk mund t’i ndiejë këto emocione?

Ndjenjat tona mund të jenë një tregues i dobishëm se kur duhet të kërkojmë mbështetje.

Për shumicën e njerëzve, kënaqësia, lumturia dhe gëzimi shoqërohen me përvoja të ndryshme jetësore. Por çfarë ndodh kur njeriu nuk mund t’i ndiejë këto emocione? Nëse kjo ju ndodh edhe juve, atëherë mund të jeni duke përjetuar anhedoni.

Çfarë është Anhedonia?

Ju mund të keni dëgjuar termin “hedonizëm”, që do të thotë kërkimi i kënaqësisë. Anhedonia është pikërisht e kundërta, pamundësia për të shijuar diçka. Ne përdorim termin anhedoni kur dikush nuk mund të shijojë gjërat e mira në jetë.

Ekzistojnë dy lloje të anhedonisë.

E para është anhedonia fizike, kur njeriu nuk mund të shijojë ndjesi fizike, si prekja e një personi tjetër ose shija e ushqimit.

Lloji i dytë është anhedonia sociale, e cila karakterizon dikë që nuk mund të shijojë shoqërinë e njerëzve të tjerë. Të dy llojet e anhedonisë mund të jenë pjesë e simptomave të depresionit, çështjeve të tjera të shëndetit mendor apo edhe fizik, si dhe një efekt anësor i disa ilaçeve.

Sa e zakonshme është Anhedonia Sociale?
Anhedonia sociale është më e zakonshme se anhedonia fizike. Nuk krahasohet me ankthin social. Nuk është introversion, frikë, dorëheqje apo ndjenja negative të krijuara në lidhje me disa kushte sociale. Anasjelltas, anhedonia i referohet një aftësie të reduktuar ose jo-ekzistente për të përjetuar kënaqësi.

7 shenjat e Anidonisë Sociale

1. Tërheqja sociale

Tërheqja sociale është shmangia, përjashtimi i individit nga aktivitetet shoqërore. Kjo mund të nënkuptojë që dikush nuk merr pjesë në takime shoqërore, si p.sh. vaktet familjare apo mbledhjet miqësore, apo edhe që nuk komunikon me rrethin e tij shoqëror qoftë edhe nga distanca (nëpërmjet rrjeteve sociale).

2. Ngurim nga marrëdhëniet ndërpersonale

Anhedonia sociale mund të shprehet si indiferencë ndaj marrëdhënieve me të tjerët. Mund të zbuloni se nuk ndiqni më ose mbani më miqësi, partneritete apo edhe marrëdhënie familjare me te tjerët. Nëse ndërveprimi ndërpersonal ju duket i pakëndshëm, mund të shmangni përfshirjen në marrëdhëniet që keni tashmë ose, aq më tepër, njohjet e reja.

3. Reduktimi i reagimit emocional

Ndërsa shumica e njerëzve mund të buzëqeshin, përqafojnë ose madje festojnë lajmet në jetën e të dashurve të tyre, njerëzit me anhedoni sociale mund ta kenë të vështirë ta bëjnë këtë. Simptomat përfshijnë një reduktim ose pamundësi për të shfaqur dhe përjetuar këto përgjigje emocionale në ndërveprimet shoqërore, qofshin ato verbale ose jo verbale.

4. Humor në depresion
Si anhedonia fizike ashtu edhe ajo sociale mund të tregojnë depresion, por ky nuk është një rregull i përgjithshëm. Nëse jeni duke përjetuar disa simptoma të depresionit dhe e gjeni veten duke u tërhequr ose duke zgjedhur vetminë, atëherë mund të jeni duke përjetuar edhe anhedoni sociale. Në këtë rast, do të ishte mirë t’ia përmendni mjekut ose specialistit të shëndetit mendor, pasi kjo do t’i mundësojë atyre t’ju ndihmojnë në mënyrë më specifike.

5. Vështirësi në Përshtatjen Sociale

Nëse e gjeni veten në një situatë të re ku duhet të përshtateni me një mjedis social, mund ta keni të vështirë ta bëni këtë nëse përjetoni anhedoni sociale. Aftësitë që keni fituar dhe që do të përdorni normalisht në një kontekst të tillë mund të mos jenë më të përdorshme. Ju mund të ndiheni sikur duhet ta falsifikoni atë në disa situata sociale, pasi nuk ndjeni kënaqësi të vërtetë.

6. Ulja e optimizmit

Një tjetër shenjë e anhedonisë sociale është vështirësia për të qenë pozitiv. Ndërsa më parë keni qenë mbështetës, keni dhënë zgjidhje dhe sillnit një perspektivë pozitive për situatat, tani anhedonia sociale po ju vështirëson. Mund t’ju bëjë të përmbaheni ose të jeni pesimist.

7. Shprehje verbale monotone ose e sheshtë

Së fundi, nëse nuk jeni duke përjetuar kënaqësi ose gëzim, mund të flisni në një mënyrë monotone ose të sheshtë, gjë që ju bën të dukeni indiferentë ose të zhytur në diçka tjetër. Nëse kjo ndodh vazhdimisht (dhe jo vetëm në ditët kur ndiheni të dëshpëruar ose të rraskapitur) mund të jetë një shenjë e anhedonisë sociale.

Përfundimi
Anhedonia sociale është më e zakonshme nga sa mendojmë. Është një simptomë kryesore e depresionit. Nëse jeni duke përjetuar ndonjë nga këto simptoma, është mirë të punoni me një profesionist të shëndetit mendor.

Burimi: Healthline. https://www.healthline.com/health/depression/anhedonia
Përgatiti: Fon Ilia, Psikolog Klinik – Holistic Coach
CEO – Institute of Body Language Albania