Në psikoterapi shpesh vërejmë se sa të vetmuar dhe të izoluar ndihen njerëzit. Megjithëse mund të jenë të lumtur në martesën e tyre ose të suksesshëm në karrierën e tyre, ata shpesh raportojnë një ndjenjë shkëputjeje ose tjetërsimi që i lëndon.
Megjithëse ka shumë arsye për t’u ndjerë i izoluar, por tre gjëra mund të jenë kontribuuesit më të mëdhenj në epideminë e vetmisë në shoqërinë tonë.
Kritika
Hulumtimi i John Gottmanit mbi faktorët funksionalë të marrëdhënies nxjerr në pah se si kritika është një faktor që çon më shumë në ndarje (së bashku me zhvlerësimin, hezitimin për të komunikuar dhe mbrojtjen).
Të vësh në dukje në mënyrë kritike gabimet e supozuara të një personi zakonisht dhemb. Shumë prej nesh u rritën me një kritikë të dhimbshme që u bë toksike për lumturinë tonë. Ndjenja e të qenit i kritikuar në jetën tonë si të rritur, mund të na shkaktojë dhimbje të pamasë dhe të na bëjë të dëshirojmë të izolohemi.
Ose mund të reagojmë ndaj kritikave duke sulmuar personin që na e bën atë. Sulmi ose tërheqja na mban të izoluar në marrëdhënie dhe përjashton mundësinë e afrimit me personin tonë.
Sa më të vetëdijshëm të bëhemi se si dhe kur bëhemi gjykues, aq më shumë mund të vërejmë ndjenjat dhe nevojat e paplotësuara që qëndrojnë nën kritikat tona. Në vend që t’i themi partnerit tonë me një ton të lartë se ai nuk është kurrë aty për ne ose se puna e tyre është më e rëndësishme se marrëdhënia jonë, ne mund të zbulojmë se sa të vetmuar ndihemi dhe ndoshta rrezikojmë të kërkojmë një përqafim ose një diskutim intim.
Ndërsa e zëvendësojmë kritikën me një shprehje më të ndjeshme të ndjenjave tona të buta, atëherë ka më shumë gjasa të afrojmë partnerin tonë dhe njerëzit e tjerë.
2. Turp
Kritika është toksike sepse shkakton turp. Shumë prej nesh u rritën me një ndjenjë bezdisëse se diçka nuk shkonte brenda nesh. Kur dikush na kritikon, mund të na kthejë te fëmija e lënduar që ishim më parë, ai që nuk mund të bëjë kurrë asgjë siç duhet. Turpi është një emocion jashtëzakonisht i dhimbshëm. Kur e ndiejmë, përpiqemi të gjejmë mënyra për të distancuar dhe izoluar veten.
Psikologët e përshkruajnë turpin si një formë traume. Impulsi ynë është të shmangim turpin duke u mbyllur në vetvete ose duke fajësuar një person tjetër dhe duke i bërë ata të ndihen keq. Turpi është si një “patate e nxehtë”. Ne duam t’ia japim atë personit që na bën të ndihemi të turpëruar ose t’ia transferojmë atë një personi tjetër. Ky transferim i turpit është një pasqyrim i turpit që mbartim brenda vetes dhe nuk duam ta ndjejmë.
Shmangia e turpit, ose refuzimi për ta ndjerë dhe përpunuar atë, është përgjegjëse për pjesën më të madhe të izolimit tonë. Në vend që t’i lejojmë vetes të vërejmë kur ndodh, ne e largojmë atë ose distancohemi prej tij sepse ndihet shumë kërcënues dhe shkatërrues për sistemin tonë nervor.
Në vend që të lëmë turpin të na pushtojë dhe të na përcaktojë, ne mund ta vëzhgojmë atë, t’i japim hapësirë dhe të kuptojmë se ai është thjesht një reagim i yni dhe nuk përcakton të gjithë personalitetin tonë.
3. Perfeksionizmi
Dëshira jonë për të qenë të përsosur ka një mënyrë tinëzare për të na mbajtur të mbyllur dhe të izoluar. Ndjenja e pwrsosmwrisw shpesh shkaktohet nga turpi dhe frika. Ne kapemi pas mendimit (zakonisht të pavetëdijshëm) se nëse mund të jemi të përsosur në fjalët dhe veprimet tona, atëherë askush nuk mund të na fyejë ose kritikojë (refuzimi nuk do të dëmtojë aq shumë nëse nuk jemi të prekshëm).
Nëse e përkufizojmë veten si dështak (në krahasim me tw pwrsosurin), atëherë kjo mund të na pengojë të rrezikojmë lidhjen tonë me njerëzit e tjerë. Ne i fshehim ndjenjat dhe dëshirat tona të vërteta sepse kemi frikë se nëse i zbulojmë ato, do të refuzohemi ose do të nënçmohemi. Synimi ynë është të mbrohemi nga dhimbja, por duke e mbajtur veten “të fshehur”, rrisim ndjenjën e dhimbshme të izolimit.
Ndërsa zbulojmë forcën tonë të brendshme, kuptojmë se na lejohet të kemi të meta njerëzore.
Ne mund ta pranojmë dhe duam veten, pavarësisht se si njerëzit reagojnë ndaj nesh. Ne nuk kemi kontroll mbi mënyrën se si të tjerët na perceptojnë. Por ne kemi kontroll mbi mënyrën se si e shohim dhe e trajtojmë veten, mundësisht me respekt dhe dinjitet, pavarësisht nga dobësitë tona.
Paaftësia për të pranuar të metat tona mund të çojë në ngurrim për të komunikuar, një tjetër faktor kritik që çon në ndarje. Ne hezitojmë të kemi biseda autentike, domethënëse, sepse kemi frikë se do të dështojmë ose do t’i përkeqësojmë gjërat.
Është më e sigurt të refuzojmë të flasim kur partneri ynë dëshiron të diskutojë lidhjen tonë. Mund të na duket më interesante të mbyllemi në dhomë me kompjuter ose të shikojmë televizor sesa të bëjmë një bisedë emocionale.
Të kuptuarit se nuk duhet të jemi të përsosur, mund të na frymëzojë që të komunikojmë në mënyrë më autentike me partnerin ose miqtë tanë. Vetëm duke dëgjuar me një zemër “të hapur” mund të na ndihmojë të ndihemi më pak të izoluar. Ne mund të kemi marrëdhënie më të thella në jetën tonë duke ofruar dhuratën e dëgjimit jo-mbrojtës.
Ne mund të gjejmë më shumë kuptim dhe thellësi në marrëdhëniet tona kur rrezikojmë të tregojmë dobësinë tonë, të zbulojmë ndjenjat tona të vërteta në vend që të sulmojmë ose ofendojmë të tjerët. Ne mund të jetojmë një jetë më pak të vetmuar kur heqim dorë nga besimi izolues se nëse nuk mund të themi ose të bëjmë diçka në mënyrë perfekte, atëherë më mirë të mos e themi ose ta bëjmë fare.
Shpesh ndihemi ashtu siç ndihen të tjerët, por nuk e shprehim atë. Vetmia që mund të ndjeni është e bollshme në shoqërinë tonë. Kur rrezikoni të komunikoni me njerëzit, qoftë duke buzëqeshur, duke bërë humor apo duke shprehur ndjenjat tuaja të vërteta, atëherë bëni një hap nga izolimi juaj. Në të njëjtën kohë, ju mund të ofroni një dhuratë që i ndihmon të tjerët gjithashtu të ndihen më pak të izoluar.
Burimi: psychcentral.com
Shkrim nga: John Amodeo, PhD
Përgatiti: Fon Ilia, Psikolog Klinik – Holistic Coach
CEO – Institute of Body Language Albania

