Kjo është shkalla më e lartë e paragjykimit ndaj grupit. Kur jemi me një grup të madh, ne ndryshojmë. Vëzhgoni veten dhe të tjerët në një ngjarje sportive, në një koncert, në një tubim fetar ose politik. Është e pamundur të mos joshesh nga emocionet kolektive. Zemra juaj rreh më shpejt. Lotët e gëzimit apo pikëllimit rrjedhin më lehtë.
Kur jemi me një ekip, ajo që stimulohet nuk është dhe aq shumë aftësia e pavarur për të menduar, por dëshira e fortë për t’u përshtatur grupimit. E njëjta gjë mund të ndodhë në një mjedis pune, veçanërisht nëse shefi stimulon emocionet e njerëzve për të nxitur dëshira konkurruese, agresive ose krijon një dinamikë “ne-kundër-të tjerëve”. Fenomeni i grupit nuk kërkon domosdoshmërisht praninë e të tjerëve. Diçka mund të bëhet “virale”, si për shembull kur disa pamje përhapen në rrjetet sociale dhe na “infektojnë” me dëshirën për t’i përhapur ato – zakonisht nga fjalë që shprehin emocione të forta, si për shembull indinjatë.
Ekziston dhe një aspekt tërheqës dhe pozitiv për nxitjen e punës në grup: si ne bashkojmë forcat për të bërë diçka për të mirën e përbashkët. Por nëse vëreni se përpjekja për të provokuar emocione negative, si urrejtja për të tjerët, shovinizmi ekstrem, agresioni apo botëkuptimet totalitare, duhet të përpiqeni të qëndroni të paprekur dhe të mos shpërqendroheni nga tërheqja e fortë që ushtrohet mbi ju. Shpesh është më mirë të shmangni ndërtimin e ekipit sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të ruani fuqitë tuaja kritike ose kur nuk është kështu, të merrni pjesë me shumë skepticizëm.
Të kini kujdes nga demagogët të cilët përfitojnë nga fenomeni grupor dhe provokojnë shpërthime absurditeti. Në mënyrë të pashmangshme ata përdorin truket specifike. Në një mjedis grupor, ata fillojnë duke “ngrohur” turmën, duke folur për idetë dhe vlerat e përbashkëta, duke krijuar një ndjenjë të këndshme pajtimi. Ata shtypin fjalët e paqarta, por të ngarkuara emocionalisht, si drejtësia, e vërteta ose patriotizmi. Ata flasin për qëllime abstrakte, fisnike dhe jo për zgjidhjen e problemeve specifike me mënyra të veçanta.
Demagogët në politikë nëpërmjet mediave përpiqen vazhdimisht të shkaktojnë panik, alarm dhe zemërim, sepse është e nevojshme që vazhdimisht të acarojnë timusin. Mbrojtja juaj kundrejt asaj është e thjeshtë: Mbani gjithmonë parasysh gjykimin tuaj të saktë, aftësinë tuaj për të menduar si njerëz të pavarur, pasurinë tuaj më të vlefshme. Të urreni çdo lloj pushtimi të huaj të mendjes tuaj të pavarur. Kur ndjeni se keni përballë një demagog, tregohuni dyfish më të kujdesshëm dhe më analitik.
Një gjë e fundit në lidhje me absurdin e natyrës njerëzore: mos imagjinoni se manifestimet më ekstreme të irracionalitetit janë kapërcyer për hatër të përparimit dhe ndriçimit. Gjatë gjithë historisë, ne vëzhgojmë cikle të vazhdueshme të ngritjes dhe rënies së niveleve të saj. Epoka e artë e Perikliut, me të filozofëve dhe përplasjet e para të shpirtit shkencor, u pasuan me një epokë bestytnie, misticizmi dhe intolerance. E njëjta gjë ndodhi edhe pas Rilindjes Italiane. Fakti që ky cikël do të përsëritet vazhdimisht është pjesë e natyrës njerëzore.
Absurditeti thjesht ndryshon pamjen dhe shfaqjen. Mund të mos kemi më të ashtuquajturën gjuetinë e shtrigave, por në shekullin e njëzetë, jo shumë kohë më parë, pamë gjyqet e Stalinit në BRSS, seancat dëgjimore të McCarthy-t në Senatin e SHBA-së dhe persekutimin masiv të Revolucionit Kulturor në Kinë. Vazhdimisht po shohim krijimin e llojeve të ndryshme të “kulteve”, deri te hyjnizimi i personaliteteve dhe fetishizimi i personazheve të famshëm. Teknologjia tashmë frymëzon pasionin fetar. Njerëzit duan dëshpërimisht të besojnë në diçka dhe do ta gjejnë kudo.
Sondazhet kanë treguar se në shekullin e njëzet e një gjithnjë e më shumë njerëz besojnë në fantazma, shpirtra dhe engjëj.
Për sa kohë do të ketë njerëz, irracionaliteti do të gjejë zërat dhe mjetet e përhapjes së tij. Racionalizmi është diçka që zotërohet nga individët, jo nga lëvizjet masive apo progresi teknologjik. Të ndihet dikush superior dhe lartësuar është një shenjë e sigurt se irracionalja është në punë.
Pjesë nga libri “Natyra njerëzore” Robert Green
Përgatiti: Fon Ilia, Holistic Coach- Psikolog Klinik
Institute of Body Language Albania

