A ndiheni shpesh të trishtuar pa arsye? Në fakt, ka gjithmonë një arsye, por që është më pak e dukshme.
Është krejtësisht e natyrshme të ndihesh i trishtuar kur diçka e keqe ndodh në jetën tënde. Është krejt njerëzore të ndihesh keq kur jeta bëhet e vështirë. Kjo nuk do të thotë se jeni të dobët ose jeni dorëzuar. E gjithë kjo do të thotë se jeni mjaft i ndjeshëm për të reaguar menjëherë ndaj një situate negative. Por çfarë ndodh kur gjithçka në dukje është mirë, por ju ndiheni të trishtuar?
Shpjegimi më i qartë do të ishte një sëmundje mendore si depresioni ose ankthi. Disa shkaqe të tjera të lidhura me shëndetin përfshijnë mungesën e një vitamine të caktuar, mungesën e ushtrimeve fizike dhe dietën e dobët. Në thelb, ne jemi “makina”, kështu që zgjedhjet tona të jetesës kanë një efekt të madh në disponimin tonë. Kjo është për shkak se emocionet tona janë në pjesën më të madhe, kombinime të ndryshme të hormoneve dhe neurotransmetuesve.
Megjithatë, në këtë pikë ne nuk do të përqendrohemi në këto shkaqe të njohura të çrregullimit tonë të humorit. Ne do të përpiqemi të thellohemi më thellë në shkaqet specifike të trishtimit.
Më poshtë do të rendis disa shkaqe të pikëllimit “të pajustifikuar” që mund të mos i kemi konsideruar në fillim.
Ju mund të kaloni një periudhë ripërshtatjeje
Një periudhë tranzicioni mund t’ju bëjë të rimendoni tërë jetën tuaj edhe kur gjithçka duket se po shkon mirë. Ju filloni t’i bëni vetes pyetje si: A ka kuptim jeta ime? Pse jam këtu? A kam bërë zgjedhjet e duhura në jetën time?
Kjo periudhë mund të jetë një përvojë e dhimbshme e shoqëruar me ndjenja dëshpërimi, zhgënjimi dhe frustrimit. Është sikur gjithçka në jetë papritmas nuk ka kuptim dhe shkatërrohet. Megjithatë, një “krizë” e tillë ndodh shpesh për të mirën tuaj dhe në fund ju ndihmon të gjeni qëllimin tuaj në jetë.
Kur ndiheni të trishtuar pa ndonjë arsye të dukshme, vëzhgoni me kujdes procesin tuaj të të menduarit. Nëse i bëni vetes pyetje për vendin tuaj në këtë botë, atëherë ndoshta trishtimi juaj është një simptomë e një faze të tillë.
Kjo mund të jetë një krizë në momentet e jetës suaj
Një krizë si kjo mund të jetë shumë e ngjashme me një krizë në çdo periudhë tjetër tranzitore të jetës, përveç se kjo krizë na bën të mendojmë për çështje specifike.
Për shembull, nëse jeni në të 20-at, kriza mund të jetë për kalimin tuaj në moshën madhore. Ditët e shkujdesura të adoleshencës janë në të shkuarën dhe tani ju duhet të përballeni me një jetë të rritur me zakonet dhe detyrat e saj.
Ju gjithashtu mund të keni vënë re se perceptimi juaj për botën është i ndryshëm tani. Nuk ndiheni entuziastë për gjërat ose nuk keni energji për të dalë, për të takuar njerëz të rinj dhe për të filluar aktivitete të reja. Kjo mund t’ju bëjë të ndiheni të trishtuar sepse mendoni se jeta nuk do të jetë kurrë aq “eksituese” sa ishte më parë.
E njëjta gjë vlen edhe për moshat e tjera. Për shembull, në të 30-at, mund t’ju duhet të luftoni për të ndërtuar një karrierë të duhur profesionale. Të kesh deri atëherë një punë të mërzitshme dhe të pakuptimtë që nuk të plotëson aspak, mjafton vetëm kjo për të shkaktuar një krizë.
Arsyet e mundshme për një krizë të jetës në çdo moshë janë të panumërta, por të gjitha kanë një rrënjë të përbashkët dhe kjo është mungesa e kënaqësisë. Ndoshta ju jeni larguar nga qëllimet tuaja ose po ndiqni hapat e gabuar. E gjithë kjo ndoshta ju bën të ndiheni sikur jeta juaj po ecën në drejtimin e gabuar. Për të zgjidhur këtë krizë, duhet të pyesni veten se çfarë është ajo që ju bën të ndiheni të pakënaqur.
Thellë brenda ju jeni të vetmuar
Është e rëndësishme të ndash ndjenjën e trishtimit pa arsye nga vetmia dhe nga ndjenja e keqkuptimit. Kuptimi është shpesh më i rëndësishëm se dashuria. Kur dikush na kupton vërtet, atëherë ne jemi të lidhur me ta në një nivel më të thellë. Nuk është vetëm një marrëdhënie emocionale, por edhe një bashkim shpirtëror.
Por a mund të jemi personazhe të vetmuar thellë tw pa ditur? Këtu përdor shprehjen “thellë, thellë” sepse nuk duhet të jesh vetëm për të ndjerë dhimbjen e vetmisë. Mund të jemi me një të dashur, me familjen ose me miqtë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndihemi të vetmuar.
Në fakt, vetmia më e thellë dhe më e dhimbshme është kur ndihemi vetëm, pa u ndjerë të dëgjuar dhe tw kuptuar nga të tjerët. Ne mund të shoqërohemi me njerëzit e gabuar ose të jemi në një marrëdhënie me dikë që nuk ndan vlera dhe qëllime të ngjashme në jetë si ne.
Edhe nëse nuk e kuptojmë faktin se jemi përafërsisht të rrethuar nga njerëzit e gabuar, thellë në vetvete, ne e dimë atë. Prandaj, ndjenjat e trishtimit “të pashpjegueshëm”, shpjegohen! Kështu komunikojmë me veten dhe e drejtojmë atë tek njerëzit e duhur. Kuptohet, një realizim i tillë është gjithmonë një proces i dhimbshëm.
Mungesa e zhvillimit
Po sikur të keni punën tuaj të ëndrrave dhe njerëzit e duhur në jetën tuaj, por ndiheni ende të trishtuar? Ky wshtw një tjetër shkak i mundshëm i cili mund të jetë nga mungesa e rritjes.
A jeni bërë shumë rehat në “zonën tuaj të rehatisë”? Ndoshta kjo është arsyeja pse jetës suaj i mungon rritja dhe ndryshimi. Si rezultat, ju e gjeni veten të mbërthyer në një jetë që duket se nuk ju lë të shkoni më tej.
Pavarësisht se sa rehat dhe komod ndihemi – nëse asgjë nuk ndryshon dhe nuk përmirësohemi si individë dhe si personalitete, përfundimisht do ta gjejmë veten në një qorrsokak trishtimi. Atëherë do të kuptojmë se jeta po na kalon dhe ne jemi thjesht vëzhgues, jo pjesëmarrës.
Ju bëni shumë përpjekje për të përmbushur pritshmëritë e njerëzve të tjerë
Në ditët e sotme, ne përjetojmë vazhdimisht presion nga pritshmëritë e shoqërisë. Si duhet të sillemi, ku duhet të punojmë, çfarë duhet të veshim e kështu me radhë. Përveç kësaj, edhe familjet, miqtë, kolegët tanë kanë pritshmëritë e tyre nga ne.
Kur përpiqemi shumë për të përmbushur të gjitha këto pritshmëri, kjo mund të na largojë nga qëllimi ynë në jetë. Ne mund të neglizhojmë nevojat tona për të kënaqur të tjerët. Ne mund të heqim dorë nga qëllimet tona vetëm për të marrë një kurs më të sigurt dhe më të pranueshëm shoqërisht.
Edhe nëse do të mund të përmbushnim të gjitha pritshmëritë e të tjerëve, nuk do të na sillte më afër lumturisë së vërtetë nëse ato pritje do të ishin kundër qëllimit tonë në jetë. Më në fund do ta gjejmë veten duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Si rezultat, ne do të jemi të prirur të ndihemi të trishtuar.
Për ta përmbledhur, nëse ndiheni shpesh të trishtuar pa arsye, ndoshta duhet të rivlerësoni disa gjëra në jetën tuaj. Merrni kohë për të kuptuar nevojat tuaja, marrëdhëniet tuaja me të tjerët dhe jetën tuaj në përgjithësi. Ju mund të ballafaqoheni me disa të vërteta të pakëndshme gjatë procesit, por ia vlen. Ndonjëherë kjo është mënyra e vetme për të gjetur vendin tuaj në këtë botë.
Përgatiti: Fon Ilia
Holistic Coach – Mas. Psikolog klinik

