Mënyra se si i vlerësojmë marrëdhëniet tona përcaktohet nga karakteristikat që ato mbartin, elementët e personalitetit tonë si dhe rrjeti social që kemi. Për më tepër, karakteristikat tona të temperamentit dhe elementet e secilës gjendje ndikojnë drejtpërdrejt në rrjetin tonë social.
Duke i ndarë karakteristikat personale në komponentë të personalitetit intrapersonal dhe ndërpersonal, individët e vetmuar priren të karakterizohen nga komponentë negativë intrapersonal si pesimizmi. Është zbuluar se ata ndihen më shpesh në faj, kanë vetëbesim të ulët dhe e përdorin më pak humorin si mjet për të përballuar situatat e jetës sesa njerëzit jo të vetmuar.
Duke iu kthyer karakteristikave ndërpersonale, individët e vetmuar kanë më shumë gjasa të shfaqin më shumë rezervë dhe më pak ekstraversion, shoqërueshmëri të ulët dhe besim te njerëzit sesa individët më pak të vetmuar. Këta janë njerëz që shpesh shmangin kontaktet sociale ose janë të vështirë për t’u afruar nga të tjerët. Edhe pse ndihen të tjetërsuar dhe vështirë se u besojnë të tjerëve, ata e ruajnë varësinë e tyre sociale në nivele të larta.
Në mënyrë të ngjashme, kritikat që ata i bëjnë vetes lëvizin në të njëjtat nivele. Përveç kësaj, njerëzit e vetmuar kanë mënyra të ndryshme të ndërveprimit me të tjerët, të cilat karakterizohen nga aftësi jo të plota sociale dhe paaftësia për të deshifruar mesazhet joverbale që marrin. Sa më sipër i shtohen nivelet e larta të ankthit social dhe mbështetja sociale me cilësi të ulët që ata marrin, edhe nëse sasia e ndërveprimit social është e mjaftueshme.
Roli i aftësive
Riggio propozon ndarjen e aftësive në emocionale dhe sociale, bazuar në shkallën e ekspresivitetit, kontrollit dhe ndjeshmërisë që kemi. Kështu, një person ka ekspresivitet emocional kur është në gjendje të tregojë dhe shprehë ndjenjat e tij; karakterizohet nga kontrolli emocional, kur mund të kufizojë ose shprehë lirshëm një emocion të caktuar, sipas dëshirës; ka ndjeshmëri emocionale, kur mundet dhe ndjen të tjerët.
Në mënyrë të ngjashme, ekspresiviteti social ka të bëjë me përdorimin e gjuhës së trupit dhe sinjaleve të tjera sociale në ndërveprimet tona me të tjerët, ndërsa ndjeshmëria sociale ka të bëjë me aftësinë tonë për t’i “përkthyer” këto sinjale. Së fundi, kontrolli social i referohet aftësisë për të kontrolluar vullnetarisht një sjellje shoqërore.
Sa më sipër mund të rrisë shumë vetëvlerësimin e një personi dhe t’i shtyjë ata të angazhohen emocionalisht dhe socialisht me të tjerët, duke ulur kështu nivelet e tyre të vetmisë.
Kur personi ka aftësi adekuate sociale, atëherë mjetet e komunikimit, verbale dhe joverbale, me të tjerët realizohen me sa më pak kosto emocionale. Shfaqja ose mungesa e aftësive sociale mund të jetë rezultat i ankthit ose ndrojtjes dhe/ose të mësuarit jo të plotë të tyre gjatë viteve të para të jetës sonë.
Për më tepër, nuk janë të pakta studimet që studiojnë aftësitë sociale nën dritën e teorisë së atashimit, duke argumentuar se modelet e lidhjes aktive të mbartura nga individi mund të përbëjnë bazën për zhvillimin e aftësive sociale. Kur u referohen aftësive sociale, studiuesit herë i klasifikojnë ato në elementet e personalitetit, e herë në grupin e aftësive që ka personi.
Aftësia e individit…për të vepruar me maturi ndaj reagimeve të të tjerëve, siç shprehet zakonisht Thorndike, qëndron pjesërisht në themel të zhvillimit të aftësive sociale, inteligjencës sociale të individit. Mundësia e pjesëmarrjes sociale presupozon që individi të ketë aftësi që lehtësojnë fillimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të tij social.
Kur individi ka zhvilluar mjaftueshëm aftësitë e tij sociale, atëherë komunikimi është më i përshtatshëm dhe shkëmbimi i roleve shoqërore është i suksesshëm. Kështu, ndërtohet një imazh pozitiv për veten, i cili forcon besimin e individit se ai mund të ndërhyjë në situata sociale dhe të bëjë ndryshimin.
Kështu, individi ka të ngjarë të ndiejë se vetëvlerësimi i tij është rritur dhe ankthi i tij social reduktohet. Në rastin e kundërt, ku aftësitë sociale janë të mangëta, shanset për krijimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve shoqërore ulen, ndërsa ndjenjat e vetmisë rriten.
Në një studim të një popullate studentore, studentët e vetmuar raportuan vështirësi në lidhjen e miqve, krijimin dhe prezantimin e tyre dhe pjesëmarrjen në aktivitete dhe ngjarje në grup, krahasuar me studentët jo të vetmuar.
Tregues i bibliografisë:
Blatt, S. J. (2004). Experiences of Depression: Theoretical, clinical and research perspectives. Washington, DC: American Psychological Association.
Crandall, C.S & Cohen, C. (1994). The personality of the stigmatizer: Cultural world view, conventionalism, and self-esteem. Journal of Research in Personality, 28, 461-480.
Davis, S. F., Miller, K.M., Johnson, D., Mc Auley, K., & Dingers, D. (1992). The relationship between optimism-pessimism, loneliness, and level of self-esteem in college students. College Student Journal, 26, 244-247.
Riggio, R., Throckmorton, B., & DePaola, S. (1990). Social skills and self-esteem. Personality and Individual Differences, 11(
, 799-804.
Riggio, R., Watring, K. P., & Throckmorton, B. (1993). Social skills, social support, and psychosocial adjustment. Personality and Individual Differences, 15, 275-280.
Thorndike, E. L. (1920). Intelligence and its uses. Harper’s Magazine, 140. 227-235.
Wiseman, Η., Mayseless, Ο., & Sharabany, R. (2006). Why are they lonely? Perceived quality of early relationships with parents, attachment, personality predispositions and loneliness in first-year university students. Personality and Individual Differences, 40, 237–248.
Burimi: https://www.psychologynow.gr/
Përgatiti: Fon Ilia, Psikolog Klinik – Holistic Coach
CEO – Institute of Body Language Albania

