Një studim lidh një kimikat të sekretuar në tru që shkakton zemërim dhe frikë me izolimin kronik social.
Izolimi kronik shkakton lirimin e një kimikati specifik në tru që lidhet me zemërimin dhe frikën. Edhe pse lidhja midis izolimit social dhe depresionit dhe çrregullimit të stresit post-traumatik është njohur prej kohësh, hulumtimi i ri i publikuar në Cell ka identifikuar kimikatin e sekretuar që shkakton efektet negative të izolimit.
Studiuesit përdorën brejtësit si kafshë eksperimentale dhe vëzhguan ndryshimet e tyre të sjelljes për shkak të izolimit, të cilat përfshinin agresionin, frikën dhe mbindjeshmërinë ndaj stimujve fobikë.
Konkretisht, ata vunë re se brejtësit e izoluar mbetën të palëvizshëm kur u shfaq stimuli fobik, por vazhduan të imobilizohen kur ai hiqej, në ndryshim nga brejtësit jo të izoluar që vazhduan të lëviznin pas përfundimit të stimulit.
Në një studim të mëparshëm të kryer me kafshë laboratorike me mizat, u identifikua një neurokimik specifik, takikinina (Tac2), si shkaku i zemërimit në izolim. Në këtë studim të veçantë, ku u përdorën minjtë, u zbulua se Tac2 prodhohet nga neuronet në qendra specifike të trurit, si amigdala dhe hipotalamusi, të cilat rregullojnë sjelljen emocionale dhe sociale.
Kur studiuesit administruan një ilaç që bllokon sekretimin e kësaj substance tek minjtë e izoluar, ata vunë re se sjellja e tyre ishte modifikuar dhe efektet negative të izolimit u reduktuan. Megjithatë, ata arritën në përfundimin se për të eliminuar të gjitha efektet negative, duhet të reduktohet sekretimi i Tac2 në të gjitha qendrat e trurit.
Bazuar në kërkimet në këtë fushë, është e mundur të kuptohet se si stresi kronik i shkaktuar nga izolimi ndikon edhe në trurin e njeriut dhe se si kjo e rregullon sjelljen e tij. Deri më sot, çdo trajtim i çrregullimeve mendore ka synuar sisteme më të gjera neurotransmetuese si serotonina dhe dopamina. Megjithatë, duke qenë se këto sisteme janë të përhapura, ka pasur edhe shumë efekte anësore të trajtimit.
Prandaj, duke identifikuar substanca specifike si Tac2, modifikimi është më i menjëhershëm, duke krijuar një qasje të re për trajtimet e shëndetit mendor.
Burimi: California Institute of Technology
Hulmumtimi: The Neuropeptide Tac2 Controls a Distributed Brain State Induced by Chronic Social Isolation Stress.
Përgatiti: Fon Ilia, Psikolog Klinik – Holistic Coach
CEO – Institute of Body Language Albania

